KKSH kumton vërtetësinë e paligjshmërisë së vendosjes së U.D të drejtorëve në tri shkolla në Bujanoc

Ministria e Arsimt, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një vendimi ka shkarkuar Këshillat e tre shkollave shqiptare në komunë të Bujanocit.
Shkollat fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, “Migjeni” në Muhoc dhe shkolla e mesme “Sezai Surroi” tani më janë pa organin më të lartë drejtues.
Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit që i është dërguar Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Komunës së Bujanocit dhe shkollave të lartpërmendura, janë plotësuar kushtet për shkarkim të këtyre Këshillave në bazë të nenit 55, mbi ligjin për themelimin e sistemit të arsimit dhe edukimit.
Në njoftimin e nënshkruar nga inspektori i arsimit Dragan Mitroviq ndër të tjera thuhet se gjatë inspektimit të dokumentacionit të përgjithshëm është vërtetuar se anëtarët e Këshillit në këto tri shkolla shqiptare janë emëruar në kundërshtim me alinenë 5, 8 dhe 13 të nenit 54 mbi ligjin për themelimin e sistemit të arsimit dhe edukimit.
Me këtë rast përmes një kumtese ka reaguar KKSH duke thënë se ky vendim “dëshmon vërtetësinë e deklaratave të KKSH-së të bëra publikisht mbi gjendjen në arsim, procesin mësimor si dhe interferimin dhe dirigjimin e politikave ditore që shpien këto shkolla në gjendje të mjerueshme menaxhimi dhe bizariteti i drejtuesve të këtyre shkollave, që sollën për pasojë krijimin e situatave të jashtëzakonshme nëpër këto shkolla”.
Në këto shkolla të Luginës me vendim të Ministrisë së Arsimit ishin vendosur Këshillat e përkohshme, ndërsa më vonë u mbajtën zgjedhjet për anëtarët e rinj të Këshillave, pas së cilës u bënë edhe ndryshimet e drejtorëve në këto institucione arsimore.
Pas zhvillimit të procesit zgjedhor në shkollat “Naim Frashëri”, “Migjeni” dhe “Sezai Surroi”, u mbajt edhe një seancë e Kuvendit Komunal në të cilët anëtarët e rinj të Këshillit të shkollave morën dritën jeshile nga kuvendarët.
Në vendimin e Ministrisë së Arsimit të drejtuar KKSH-së nuk sqarohen se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshme pas shkarkimit të organit më të lartë në këto institucione.

 

Inspektori republikan.pdf