Kryetari i KKSH-së, Galip Beqiri takoi ambasadorin Vensan Dezher

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri priti në zyrat e tij delegacionin e Bashkimit Evropian në krye me Ambasadorin Vensan Dezher, Alekasandër Gjorgjeviq përfaqësues për marrëdhënie me publikun dhe Ana Stankoviq, Menaxhere e projekteve të delegacionit të Bashkimit Evropian. Kryetari Beqiri i njoftoi me funksionimin e deritanishëm të KKSH-së si institucion i ri në këto hapësira, duke vënë theksin në hapat për zgjidhjen e problemeve vitale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. “Problemet që janë grumbulluar tashmë me dekada, në partneritet me të gjitha palët e interesuara kemi bërë hapa të konsiderueshëm sa i përket arsimit në gjuhën shqipe dhe me këtë rast iu falemnderoj edhe për kontributin tuaj në zgjidhjen e çështjes së diplomave nga Prishtina” tha Beqiri, i cili më tej vazhdoi se “kemi shprehur shqetësimet tona rreth kurrikulave dhe librave shkollor ku edhe më tej na duhet ndihma juaj”.

 

Kryetari i KKSH-së gjithashtu i njohftoi drejtpërdrejt rreth gjendjes dhe nivelit të rrespektimit të të drejtave të shqiptarëve duke nënvizuar përdorimin e gjuhës shqipe nga institucionet zyrtare dhe tërhoqi vëmendjen edhe në çështjen e sigurisë dhe integrimit në institucionet rajonale. Ambasadori Dezher inkurajoi KKSH-në për punën dhe veprimtarinë që e ushtron, duke vënë theksin se delegacioni nga Bashkimi Evropian do ta mbështesë këtë institucion edhe më tej në fuqizimin dhe rolin e merituar. “Delegacioni i Bashkimit Evropian është jashtëzakonisht i interesuar që të shoh zhvillimin e komunitetit shqiptarë dhe në këtë drejtim do të jemi partner në rrugëtimin tuaj” nënvizoi Dezher. Gjithashtu u ngritë çështja e azilkërkuesve shqiptar për të cilat shprehi shqetësime serioze Ambasadori Dezher, megjithatë kryetari Galipi nënvizoj se këto tri komuna edhe më tej mbeten më të pa zhvilluarat dhe më të varfrat në Serbi. Nga takimi shprehën të gjitha palët kënaqësinë duke konkluduar se më shumë se kurrë është e nevojshme prezenca e Bashkimit Evropian në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe ndikimi i tij në normalizimin e jetës së shqiptarëve në këto treva.