Këshilli Kombëtar Shqiptar sot është bërë Kuq e Zi

Në kuadër të manifestimeve të ndryshme për të shënuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Këshilli Kombëtar Shqiptar në Bujanoc sot është bërë Kuq e Zi. Një  flamur i madh kombëtar është vendosur  në godinën e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

       Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë Galip Beqiri tha se vendosja e flamurit të madhë është për të shënuar fillimin e një kapitulli të ri të festimeve, për të cilat ai tha se kanë qenë më të ngjeshura gjatë këtij muaji deri më 28 nëntor. Beqiri,  ndërkohë tha se KKSH-ja mbështetë përpjekjet për mbrojtjen e statusit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës  në rrugë institucionale.

     “Siç e shikoni kemi vendosur flamurin Kombëtar  si një të drejtë të mohuar nga identiteti jonë, por jemi të vendosur në realizimin e të drejtave tona të garantuara me konventat evropiane. Gjithashtu, kemi pasur aktivitete të tjera në kuadër edhe të këshillit organizativ por edhe në bashkëpunim  me institucione të tjera të shoqërisë civile.

       Rreth flamurit në nderim të flamurit dhe nderim të datës së Pavarësisë së Shqipërisë, kjo ka krijuar një dimension tjetër për dialog ndër-politik dhe në vazhdimësi sigurisht ne mbështesim të gjitha përpjekjet që bëhen për promovimin e vlerave të demokracisë si dhe për mbrojtjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës  për avancimin e të drejtave të tyre në rrugë institucionale dhe kjo nuk përjashton asnjë lloj koordinimi, bashkëpunimi, përkundrazi mbështesim çdo lloj bashkëpunimi që është i mundur”,  tha Beqiri.