Ambasadori i Austrisë Dr.Johannes Eigir takoi Galip Beqirin Kryetarin e KKSH-së

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri, u takua sot në zyrat e OSBE-së, në Bujanoc me ambasadorin e Austrisë në Beograd, Dr.Johannes Eiger. Gjatë takimit ambasadori austriak u interesua për rrjedhat e përgjithshme politike dhe situatën e sigurisë në rajon, si dhe për çështjet të cilat janë kompetencë e Këshillit Kombëtar Shqiptar me theks të veçantë për arritjet në lëmin e arsimit e veçanërisht për sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. “Ambasada e Austrisë do ta mbështes fuqishëm Këshillin Kombëtar Shqiptar në proceset që tashmë ka nisur në kuadër të kompetencave që ky organ i gëzon” është shprehur ambasadori i Austrisë në Beograd, z. Johannes Eiger.

Nga ana tjetër kryetari Beqiri e ka njoftuar diplomatin austriak rreth punës dhe aktiviteteve të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Beqiri ka reaguar për dinamikën e ngadaltë të zgjidhjeve të problemeve të shqiptarëve nga autoritetet qeveritare serbe, ndërkohë që ka kërkuar nga ambasadori që të ushtrojnë ndikimin e tyre si dhe të vazhdoj përkrahja e proceseve të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Takimet e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar me zyrtar të lartë ndërkombëtar janë të rregullta ndërkohë që përkrahja e tyre është e pakontestueshme në zhvillimin e proceseve tashmë të filluara.