Kryeministri i Republikës së Shqipërisë priti deputetin Halimi dhe kryetarin e KKSH-së Galip Beqirin

Me ftesë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, nën organizimin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Serbi, Shpëtim Çaushi, Deputeti popullor Riza Halimi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri, dje qëndruan për një vizitë një ditore në Tiranë. Temë e trajtimit në të gjitha takimet kishin të bënin me situatën politike dhe të sigurisë së krijuar në kohët e fundit në Luginën e Preshevës me theks të veçantë masat që duhet të merren në drejtim të realizimit të të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.


Delegacionin nga Lugina e Preshevës në zyrat e kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë i priti Kryemnistri Sali Berisha me bashkëpunëtorë, me çrast vlerësoi lartë maturinë dhe urtësinë e lidershipit të Luginës  së Preshevës për tejkalimin e situatës së tensionuar.
Deputeti Halimi dhe kryetari Beqiri njoftuan Kryeministrin Berisha me situatën e krijuar në këtë fillim vit dhe me masat e domosdoshme që duhet të ndërmirren në realizimin e kërkesave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kryeministri Berisha ritheksoi mbështetjen e pa kontestuar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës si dhe ndaj institucioneve që drejtojnë shqiptarët si deputetin popullor dhe në veçanti të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Për më tepër, ai mbështeti edhe kërkesat legjitime tyre. “Dua të ritheksoj mbështetjen time dhe të Qeverisë për kërkesat tuaja legjitime në të gjitha fushat, Qeveria e Republikës së Shqipërisë është zotuar që do ta mbështes Maternitetin në Preshevë me aparaturën më të avancuar e që është e nevojshme që nënat shqiptare të lindin në Preshevë. Gjithashtu, jemi të gatshëm të mbështesim edhe projektet tjera të shqiptarëve që janë me rëndësi si në zhvillimin ekonomik ashtu edhe në ruajtjen dhe kultivimin e komunitetit shqiptarë në Luginën e Preshevës” nënvizoi Berisha.    Delegacioni nga Lugina e Preshevës në një takim tjetër të ndarë u takuan me ministrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme Edmon Panariti dhe me zv/ministren e Ministrisë së Punëve të Jashtme zonjën Edith Harxhi të cilët shprehën mbështetjen e Shqipërisë në arenën   ndërkombëtare për Luginën e Preshevës dhe ngritjen e kësaj çështjeje  në institucionet relevante në një politikë pro aktive që është duke zhvilluar kjo ministri. “Jemi duke shqyrtuar edhe mundësinë e vizitës në Serbi, përkatësisht të komunave shqiptare në Luginën e Preshevës” theksoi Ministri Panariti.


Në zyrat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë, delegacioni nga Lugina e Preshevës takoi edhe Ministrin Myqerem Tafaj. Deputeti Halimi dhe kryetari  Beqiri njoftuan për rrjedhat e arsimit në Luginën e Preshevës. Ministri Tafaj u zotua se në periudhën vijuese bashkërisht do të realizojmë trajnimin profesional të mësimdhënësve me librat e importuara nga  Shqipëria në Luginën e Preshevës si dhe vazhdimin e bashkëpunimit në çështjet tashmë në procedurë.

Gjithashtu, theksoi Ministri Tafaj se “Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të mbështesë dhe ndihmoj Këshillin Kombëtar Shqiptar rreth hartimit të plan programeve dhe teksteve shkollore”.  Duke iu kthyer çështjes së studentëve nga Lugina e Preshevës, Ministri Tafajtha se “kuotat e regjistrimit të studentëve nga Lugina e Preshevës në universitetet publike të Republikës së Shqipërisë do të mbesin në nivelin e vitit të kaluar akademik. Jemi në planifikim e sipër që një delegacion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, rreth muajit Mars, do të vizitoj komunat në Luginën e Preshevës, përkatësisht shkollarët e mesëm në mënyrë që tia shpjegojnë formën dhe procedurat e regjistrimit të studentëve të rinjë nga Lugina e Preshevës.”

Nga të gjitha takimet është konkluduar se është më se i nevojshëm  një bashkërendim në veprim më intensiv, gjegjësisht në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave si kolektive ashtu edhe individuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në proceset dhe periudhën në vijim.