Seanca e V-të e KKSH-së

Këshilli Kombëtar Shqiptar mbajti sot seancën e rregullte me të vetmen pikë të rendit të ditës, aprovimin e Konkluzionit me të cilin konstatoi se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Serbisë, përkatësisht i Ministrisë për administratë shtetërore dhe vetëqeverisje lokale mbi shpalljen e zgjedhjeve për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare (“Gazeta zyrtare RS” nr. 63/19), i cili përcakton numrin prej 15 anëtarëve për Këshillin Kombëtar Shqiptar nuk e pasqyron proporcionin e numrit të përgjithshëm të bashkësisë shqiptare në Republikën e Serbisë, të garantuar me Kushtetutën, Ligjin për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare dhe Ligjin mbi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të Pakicave Kombëtare.

Vendimi nga pika 1 e këtij konkluzioni nuk e merrë për bazë Konkluzionin 05 nr. 90-7304/2015 datë 02.07.2015 të Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi aprovimin e Raportit të ekspertëve për metodologjinë e vlerësimit të popullsisë në jug të Serbisë që nuk është realizuar gjatë Censusit të Popullsisë dhe Banesave për vitin 2011, i realizuar me përfshirjen e përfaqësuesve institucional dhe politik të bashkësisë shqiptare, ambasadës së SHBA dhe Britanisë së Madhe, Delegacionit të BE-së dhe Misionit të OSBE-së dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Këshilli konsideron që Qeveria e Republikës së Serbisë, nuk e ka respektuar Rezolutën CM/ResCMN(2015)8 datë 01.07.2015 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi Raportin e tretë të zbatimit të Konventës kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Serbi, me të cilën  shtetit të Serbisë i rekomandon qasje fleksibile lidhur me përcaktimin e politikave që kanë për bazë numrin e bashkësisë shqiptare në Serbi.

Këshilli konsideron që vendimi nga pika 1 e këtij konkluzioni, po sikur Vendimi i vitit 2014 mbi shpalljen e zgjedhjeve për Këshillat Kombëtare të pakicave Kombëtare, mban të zvogëluar participimin demokratik të bashkësisë shqiptare në Këshill, mban të zvogëluar kapacitetin politik e përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar, si dhe mban nivelin jashtëzakonisht të ulët të financimit  të Këshillit.

Këshilli konsideron se pasojat nga pika paraprake ndikojnë drejtpërdrejtë në ngushtimin e autonomisë kulturore dhe në mos realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të bashkësisë shqiptare në Serbi.

Ky konkluzion, për qëllim të informimit, do t’I dorëzohet Qeverisë së Republikës së Serbisë, Ministrisë për adminsitratë shtetërore dhe vetëqeverisje lokale, ambasadës së ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Misionit të OSBE-së, si dhe njoftohet Zyra për të drejtat e njeriut dhe pakicave e Qeverisë.


21.09.2018 Bujanoc Shërbimi për informim i KKSH-së