Këshilli Kombëtar Shqiptar reagon ndaj deklaratave të kryetarit të Trupi Koordinues

Këshilli Kombëtar Shqiptar reagon ndaj deklaratave të kryetarit të Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq. Ditë më parë ai ngriti çështjet për të cilat nuk janë as në përshkrimin e punës së tij e as në fushëveprimin e organit me të cilin ai udhëheq. 

Zoran Stankoviq deklaroi  se “Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor, kur pritet që shqiptarët e Luginës së Preshevës të vendosin flamurin e këtij shteti, vitin e ardhshëm në vend të këtij flamuri duhet të vendosin flamurin e minoritetit të tyre kombëtar” dhe më tej shtoi se “Do të themi se si do të duket flamuri e pakicave kombëtare. Ai mund të ketë bazën e vendit, Shqipërisë, por sipërfaqja e tij duhet të ketë 30 për qind që të dallohet nga flamuri i Shqipërisë. Ky është një standard që vlen gjithkund, andaj do të vlejë edhe në Serbi. Për këtë 28 nëntor është vonë që të ndryshohet flamuri, por vitin tjetër me siguri do të ndryshohet”,

Megjithatë ligji për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare  në pjesën e tretë, të drejtat në ruajtje e identitetit, përkatësisht neni 16 tek Përdorimi i simboleve kombëtare ndër të tjera thotë: Pjesëtarët që u përkasin pakicave kombëtare kanë të drejtë të zgjedhin dhe të përdorin simbolet e tyre kombëtare; Simbolet kombëtare nuk mund të jetë identike me simbolet e shteteve të tjera; Simbolet kombëtare dhe festat e pakicave kombëtare propozohen nga këshillat kombëtare. Simbolet dhe festat e pakicave kombëtare konfirmohen nga organi kompetent;

Andaj, Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk ka asnjë kompetencë në këtë fushë dhe çfarëdo paragjykimi mbi këtë çështje do të jetë jo ligjore dhe me tendenca politike, nga se në asnjë kaptinë ligjore nuk ka të përmendur përqindje të caktuara.

Për më tepër përkujtojmë që “Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë oshtë organ administrativo-egzekutiv dhe ka katër prioritete bazë, dhe ate: 1) arsimin, 2) problemin social, 3) zhvillimin ekonomik, 4) përforcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile” siç shkruan në faqen zyrtare.

Këshilli Kombëtar Shqiptar që ka të përcaktuar me ligje ruajtjen dhe avancimin e identitetit kombëtarë të shqiptarëve në Serbi konsideron se kjo çështje është çështje e brendshme e vetë shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në bashkërendim me Republikën e Shqipërisë do të hapet ky kapitull dhe do të marrë epilogun pa paragjykuar. Flamuri kombëtar nuk është çështje as e juristëve në Serbi e as atyre në Shqipëri është çështje e identifikimit, është çështje tradite e historie dhe krahas së cilës organizohen shqiptarët.

Gjithashtu, KKSh kërkon nga të gjitha institucionet e Republikës së Serbisë të mos ngritin çështjet të cilat nuk i zgjidhin dhe nuk janë kompetencë e tyre dhe njëkohësisht me “çështje madhore” mos të tërheqin vëmendjen nga zgjidhja e problemeve jetike me të cilat ballafaqohen qytetarët e rëndomtë të Luginës së Preshevës.

Bujanoc, 17.09.2013

Shërbimi për informim i KKSH-së