Takim në Medvegjë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe  Deputeti popullor, Galip Beqiri e Riza Halimi kanë qëndruar për vizitë pune në Medvegjë. Me këtë rast ata janë takuar me zëvendëskryetarin e komunës dhe zv/kryetari i Kuvendit Komunal të Medvegjës, Florim Sahiti e Femi Beha, si dhe me anëtarët e Këshillit Kombëtar nga Medvegja Delegacionin ka pritur zëvendëskryetari Florim Sahiti me ç’rast ka shprehur kënaqësi për bashkëpunim të mirë me Këshillin Kombëtar, ndërsa të gjitha sukseset e deritanishme të arritura në Medvegjë i ka quajtur suksese të të gjithë shqiptarëve.

Ndër të tjera, Sahiti në takim ka informuar delegacionin me problemin aktual të mungesës së nxënësve shqiptarë, gjë që rrezikon mbylljen e shkollave. Sipas tij, është momenti i fundit që të ndërmerren hapa konkretë në drejtim të kthimit të popullatës së zhvendosur dhe se për këtë ekziston nevoja edhe për mbështetje institucionale, në të kundërtën siç tha ai “do të jemi në rrezik”.

Në këtë drejtim është përshëndetur kthimi i një familje shqiptare, pesë anëtarëshe, e cila është vizituar pas takimit dhe e cila është ndihmuar me mjete financiare dhe me gjëra ushqimore. 

Në takim po ashtu është folur për zbatimin e dygjuhësisë në Medvegjë dhe për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Kryetari i Këshillit Kombëtar, Galip Beqiri e ka bërë të ditur se ka pasur ankesa tek avokati i popullit lidhur me zbatimin e dygjuhësisë në Medvegjë duke shprehur interesim për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu është theksuar problemi aktual i shlyerjes nga evidenca në organet e punëve të brendshme të qytetarëve të cilët përkohësisht nuk jetojnë në Medvegjë. Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar, kjo dukuri paraqet një shqetësim të madh dhe se ekziston frika se pushteti ka dorë në këtë. Problemi më i madh, tha ai, paraqitet në rastet kur qytetarët të cilët dëshirojnë të kthehen tani nuk kanë dokumente as të Kosovës e as të Medvegjës. Sipas tij, kjo praktikë duhet të ndërpritet, ndërsa përveç kësaj duhet punuar edhe në ndryshimin e strukturës së punësimit në Medvegjë me qëllim që të ketë më shumë shqiptarë të punësuar në polici dhe në gjykatë.



Deputeti popullor Riza Halimi theksoi se “problemet aktuale, problemet jetësore me të cilët ballafaqohen shqiptarët e komunës së Medvegjës janë pjesë e problemeve të Luginës së Preshevës por në Medvegjë janë më të theksuara, janë të një natyre më të ndjeshme duke e ditur se kemi pasur një pastrim etnik në këto 12 vjet në komunën e Medvegjës, nga 1/3 e popullatës sa ka qenë më herët në 700 shqiptarë sa kanë mbetur sot që është një përqindje shumë më e ulët dhe unë si deputet këtë çështje në parlament vazhdimisht e potencoj”,

Vlenë të theksohet se përveç vizitës së institucioneve komunale e politike u realizuan edhe takime me shkollën e mesme teknike dhe shkollën fillore në Topallë ku u dhanë donacion disa libra për nxënësit e kësaj të fundit.

 

Bujanoc, 06.09.2013

Shërbimi për informim i KKSH-së