KKSH FTON PËR QETËSI

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) me shqetësim dhe kujdese është duke përcjellë situatën e sigurisë në Luginën e Preshevës dhe në rajon.
Gjatë ditës së djeshme shumë banorë të Preshevës u alarmuan nga prania e avionëve luftarakë të Serbisë, të cilët zgjodhën që të fluturonin mbi kokat e banorëve të kësaj zone e përqark hapësirës kufitare me Kosovën.
Që nga relaksimi i Zonës Ajrore të Sigurisë ky është fluturimi i pazakontë në lartësi tejet të ulëta e që KKSH e cilëson si provokim për tensionim të gjendjes në Luginën e Preshevës dhe shpreh shqetësimet për një hakmarrje të mundshme pas ngjarjeve në veriun e Mitrovicës.
Gjithashtu, ditë më parë është ndaluar nga policia kryetari i shoqatës së shkrimtarëve “Fenix”, Biladh Maliqi për disa orë në Mutivodë të Medvegjës, ndërkaq po në Medvegjë nuk u lejua mbajtja e shfaqjes për fëmijë “Skënderbeu” nga Teatri i Qendrës Kulturore të Lezhës. Këto ngjarje përbëjnë shqetësime të një pas njëshme që kanë për qëllim ngritjen e tensioneve ndër etnike.
Po ashtu, KKSH ka ngritur shqetësimet për militarizimin e panevojshëm dhe shtimin e forcave policore-ushtarake për të mbajtur Luginën e Preshevës në një gjendje të jashtëzakonshme pa nevojë.
Shqiptarët e Luginës janë të interesuar të zgjidhin problemet jetike në Luginën e Preshevës dhe realizojnë të drejtat e tyre individuale dhe kolektive e kombëtare të cilat janë parapara me konventat ndërkombëtare dhe dokumentet fundamentale.
Megjithatë, KKSH kërkon nga NATO, përkatësisht nga KFOR-i të rishqyrtoj Marrëveshjen për procedurat e përkohshme operative për relaksimin Zonës Ajrore të Sigurisë 25 kilometrash në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë të vitit 2015 të nënshkruar nga përfaqësuesit e KFOR-it dhe Ushtrisë Serbe.
Zona Ajrore e Sigurisë ishte përcaktuar nga Marrëveshja Ushtarake-Teknike e njohur si “Marrëveshja e Kumanovës” e nënshkruar në Qershorin e vitin 1999 mes përfaqësuesve të NATO-s dhe Ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme.
Andaj, KKSH fton të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës për qetësi dhe gjakftohtësi dhe mos të bien pre e ngritjeve të tensioneve dhe abuzimit me të drejtat e tyre. Njashtu kërkon nga organet e sigurisë mos të jenë provokator të situatës dhe njëkohësisht të i shërbejnë ligjit dhe jo tekeve politike.



Bujanoc,
Me datë 29.03.2018 Shërbimi për informim i KKSH-së