Miratimi i Ligjit më vitin 2009, për formimin e Këshillave Kombëtare të Pakicave Kombëtare që jetojnë në Serbi, në Parlamentin e Republikës së Serbisë, i`a ka mundësuar edhe shqiptarëve që ta themelojnë këtë institucion të rëndësisë së veçantë.
Në bazë të Ligjit, iniciativa për themelimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, është përkrahur me grumbullimin e 3 mijë e 100 nënshkrimeve të verifikuara në Gjykatat përkatëse komunale. 
Ndërkohë, më pas ka pësuar me formulimin e listës zgjedhore të firmosur nga 26 mijë e 927 votues shqiptarë, numër ky i definuar në proporcion me numrin e përgjithshëm të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Këshilli Kombëtar Shqiptar numron 29 ulëse në Asamblenë e përgjithshme, ndërkaq është zgjedhë me mbi 17,000 vota të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe gjetiu në Republikën e Serbisë, ndërkaq Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar është zgjedhë Galip Beqiri në seancën e parë konstituive më 3 korrik 2010.

Ligji për formimin e Këshillave Kombëtare të Pakicave Kombëtare është i bazuar në Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat Kolektive të Pakicave Kombëtare, në të cilën parashihen kompetencat në lëmin e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare.
Deri më tani ky institucion është duke përpiluar Strategjinë e Përgjithshme dhe ka hapur proceset me rëndësi jetike për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe gjetiu në Republikën e Serbisë përmes Komisioneve përkatëse. 
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar Shqiptar ka mandatin për zgjedhjen e të gjitha çështjeve që janë me interes nacional të shqiptarëve në Serbi.