Deputetet e Kosoves vizituan Keshillin Kombetar Shqiptar

Me ftesë të kryetarit të Këshilli kombëtar shqiptar z. Jonuz Musliu, në Luginë të Preshevës për vizitë dyditore po qëndron delegacioni i Republikës së Kosovës i përbërë prej deputetësh nga Komisioni për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport i kryesuar nga deputeti z. Nait Hasani dhe ambasadori i akredituar në Beograd z. Valdet Sadiku. Në përbërje të delegacionit ishin edhe anëtarët e Komisionit, si: Teuta Haxhiu, Shpejtim Bulliqi, Shukrije Bytyqi dhe Ismail Kurteshi.
Vizitën zyrtare e filluan në Këshillin kombëtar shqiptar, ku u pritën nga kryetari i Këshillit, anëtar si dhe një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve nga komuna e Bujanocit dhe Preshevës.
Kryetari i Këshillit, z. Jonuz Musliu, deputët e Kuvendit të Kosovës fillimisht i njoftoi me përbërjen dhe funksionimin e Këshillit, si dhe me punën që e bën.
Më tej, delegacioni në fjalë u njoftua me problemet e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht mungesa e teksteve shkollore në të gjitha nivelet e arsimit, shpejtimi i procesit të njohjes së diplomave universitare dhe angazhimin konkret lidhur me lejimin e përdorimit të teksteve shkollore nga Kosova dhe Shqipëria.
Ndërkaq, deputeti Nait Hasani theksoi që kjo është vizita e parë zyrtare në vendbanimet shqiptare në Luginë të Preshevës, prandaj shprehu përkushtimin e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve në kuadër të punëve që bën Komisioni i arsimit dhe angazhimin e tërësishëm të institucioneve të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Gjithashtu, theksoi bindjen e tij që kufijtë në fushën e arsimit dhe bashkëpunimit nuk do të ekzistojnë tani e tutje.
Pas vizitës në Këshill delegacioni vazhdoi takimet me deputetët, kryetarin e komunës së Preshevës, Bujanocit, me shqiptarët e Medvegjës si dhe vizitoj disa shkolla në këto komuna.



Data 09.03.2015 Shërbimi për informim i KKSH-së
Bujanoc