Kryetari Musliu takoi ekspertet e Komisionit Evropian

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu sot ka pasur takim pune në Beograd me misionin e ekspertëve faktëmbledhës të Komisionit Evropian të përbërë nga Chloe Laurenc dhe Anastacia  Crickley. Mandati i tyre ishte mbledhja e fakteve mbi gjendjen e pakicave kombëtare në Serbi, prandaj ishin jashtëzakonisht të interesuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. 
 
Kryetari Musliu gjatë takimit e njoftoj misionin e ekspertëve të Komisionit Evropian me gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Duke filluar me qasjen diskriminuese të Qeverisë së Serbisë për regjistrimin popullsisë 2011 si abuzimi me të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës si dhe qasjen slektive në zbatimin e ligjeve nga ana e shtetit të Serbisë.  
 
Gjithashtu njoftoi me mos zgjidhjen e problemit të të dëbuarve, arrestimet e inskenuara politike të ish luftarëve të UÇPMB-së si dhe problemet që i bëhen në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj. Theks të veçantë Musliu i kushtoi edhe fenomenit të shlyerjes nga regjistrat, përkatësisht pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve duke theksuar që është jokushtetues dhe me këtë po i mohohen qytetarëve shqiptar të gjitha drejtat elementare. Në fund kryetari Musliu dorëzoi raportin me shkrim për gjendjen e Luginës së Preshevës. 
 
Vlen të theksohet se ky mision i ekspertëve faktmbledhës të Komisionit Evropian përpilon raportin mbi gjetjet në teren, dhe nëpërmjet këtij raporti përcaktohen obligimet konkrete për Serbinë gjatë procesit të anëtarsimit në Bashkimin Evropian. 
 
 
 
 
 
 
Bujanoc, 27.03.2015                                                     Shërbimi për informim i KKSH-së