KKSH DENON AKTET E DHUNES

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) përcjell me shqetësim ngjarjet në rajon dhe gjykon aktet e dhunës në Kumanovë. Shteti sllavomaqedonas po tregon se është larg objektivave të Europës dhe nuk po zhveshet nga dhuna e së kaluarës. Represioni sllavomaqedonas ndaj shqiptarëve të Kumanovës, me ç’rast rezultoi edhe me viktima, është i papranueshëm dhe si i tillë i dënueshëm. KKSH është duke ndjekur me shqetësim të madh dhunën dhe terrorin në vendbanimet shqiptare të Kumanovës, ndërsa thekson se vrasja e civilëve është tragjike dhe bartë me vete rrezikun e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës. KKSH dënon dhunën ndaj civilëve shqiptarë, u shpreh ngushëllimet më të thella të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe formave tjera të presionit. Zhvillimi i tillë i ngjarjeve ka kohë që është pritur! Moszgjidhja e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe moszgjidhja e kësaj çështjeje në Maqedoni, domosdo që do të çonin në tensionime të tilla e madje me rreziqe. KKSH kërkon rrespektimin e: * Kartës së OKB-së, * Paktit ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, * Paktit ndërkomëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, * Paktit ndërkomëtar për të drejtat civile dhe politike, * Konventën kornizë evropiane për të drejtat e pakicave, * Kartën evropiane për të drejetat e njeriut dhe liritë themelore, * Kartën evropiane për gjuhët regjionale dhe të pakicave, KKSH kërkon zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, uljen e tensioneve, ruajtjen e qetësisë dhe ndërhyrjen e menjëhershme të faktorit ndërkombëtar për ndaljen e dhunës maqedonase dhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare!  Poashtu, KNSH dënon ashpër deklaratën e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuciq, në të cilën ,,paralajmëron,, shqiptarët e Luginës, se Serbia i ka të gjitha mekanizmat për të ,,intimiduar,, në çfarëdo përpjekje të tyre, edhe pse shqiptarët e Luginës kanë treguar se janë për zgjidhje paqësore të problemeve të akumuluara me vite, ndërsa gjuha dhe veprimet e urrejtjes janë të panjohura për shqiptarët.   


Bujanoc, 11.05.2015                                                     Shërbimi për informim i KKSH-së