Lugina kërkon reciprocitet me veriun

Bashkimi Evropian është duke luajtur lojën e dyfishtë sa u përket të drejtave të pakicave në shtetet e Ballkanit. Kur është fjala për çështjen e shqiptarëve në Serbi, Bashkimi Evropian këtë e sheh si çështje e brendshme e Serbisë, ndërkaq kur fjala është për serbët në Kosovë, BE këtë e koncepton si marrëdhënie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kështu të paktën konsiderojnë përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët kërkojnë reciprocitet ndërmjet veriut të Kosovës dhe jugut të Serbisë.
Belgzim Kamberi është analist politik dhe kryetari i të Drejtave të Njeriut në Luginën e Preshevës. Ai tha për “Zërin”, standardi i vendosur nga BE-ja për pakicat, krijon një pabarazi shumë të madhe për shqiptarët në Luginë. Kamberi ka thënë se me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, faktikisht është krijuar një shtet brenda shtetit.
“Unë mendoj se është autonomi politike dhe territoriale për serbët në Kosovë dhe faktikisht të gjitha atributet e një organi të cilit do t’i paraprijë krijimi i një shteti brenda shtetit. Domethënë Asociacioni është një institucion, etnitet i veçantë politik dhe juridik i cili e hemogjenizon brenda Kosovës dhe e lidh drejtpërdrejt me Beogradin. Pra e shndërron Kosovën në një shtet shqiptaro-serb realisht”, ka deklaruar Kamberi.
Përderisa, Serbia po krijon asociacion për serbët e saj, Kosova e Shqipëria nuk po bëjnë asgjë për shqiptarët e Luginës.
Kamberi ka thënë se për gjendjen e shqiptarëve në Serbi është përgjegjëse Kosova dhe Shqipëria, pasi që sipas tij, Kosova tash e sa vite ka pasur mundësinë që çështjen e shqiptarëve ta ngrejë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel dhe një gjë të tillë nuk e ka bërë. Kurse Tirana zyrtare, sipas tij, është mjaft e pranishme në forume të ndryshme ndërkombëtare dhe nuk ka bërë aq sa duhet për shqiptarët e Luginës.
“Zajednica” shtet brenda shtetit
Kamberi po ashtu ka thënë, se Serbia po krijon kushte të favorshme për serbët në tërë rajonin, në Bosnjë duke krijuar Republikën kurse në Kosovë “Zajednicën”.
Sipas Kamberit, lidershipi shqiptar në Luginë është mjaft i përçarë dhe nuk ka fuqi të bëjë asgjë përpos kërkesave politike, e për një gjë të tillë nuk po ka fuqi as Kosova që të bëjë më shumë. Ai ka kërkuar që BE-ja të barazojë çështjen e shqiptarëve dhe të serbëve.
“E sa i përket BE-së, BE-ja në asnjë moment nuk e ka barazuar çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi sikurse të serbëve në Kosovë. Ndërsa, çështjen e shqiptarëve në Serbi e sheh si çështje të brendshme të Serbisë, kurse çështjen e serbëve të Kosovës nuk e ka parë si çështje të brendshme, por e ka parë si çështje të raportit Kosovë-Serbi, e ka parë si çështje të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. E ka mundësuar përfshirjen e Serbisë në çështjet e serbëve të Kosovës. Dhe personalisht, unë mendoj se përgjegjësia kyçe vjen prej Tiranës dhe prej Prishtinës zyrtare”, ka deklaruar Kamberi.
Kryetari i Kuvendit Komunal në Bujanoc, Jonuz Musliu, ka thënë për “Zërin”, se Këshilli Kombëtar Shqiptar me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Bruksel nga Prishtina dhe Beogradi, shprehin indinjatën e thellë për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përkatësisht në realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive.
“Ne nuk jemi kundër të drejtave të serbëve, ama jemi kundër copëtimit të Kosovës. Por, jemi kundër standardeve të dyfishta që po vendosen në rajon. Dhe kjo pabarazi shumë e thellë nuk besojmë se do t’i paraprijë zhvillimit dhe avancimit të gjithmbarshëm të rajonit kur Ballkani Perëndimor synon përshpejtimin e procesit në rrjedhat e integrimeve euroatlantike”, ka thënë Musliu.
Musliu ka theksuar se në mbështetje të Referendumit 1 dhe 2 mars 1992, marrëveshjes së Konçulit 2001, Platformës së përbashkët Politike 2006 dhe kërkesës së vazhdueshme të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për reciprocitet si kompromis që kanë zgjedhur shqiptarët e Luginës së Preshevës, po aq sa Kosova si kompromis që ka zgjedhur pavarësinë e jo bashkimin me Shqipërinë.
Musliu: Të implementohet marrëveshja e Konçulit
“Ne absolutisht do të ishim dakord me marrëveshjen e Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë nëse ato do të kishin orientim pro shtetit të Kosovës, por qëllimet e tyre botërisht dihen dhe në hapësirën, tokën e kujt e kërkojnë. Për ne kjo është plotësisht e papranueshme. Po të mos harrojmë se edhe qëllimet tona si shqiptarë autoktonë botërisht dihen, por për dallim nga serbët ne kërkojmë atë që historikisht na takon në trojet tona”, ka thënë Musliu.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë më të diskriminuarit në rajon, kjo me vetë faktin që nuk kanë implementuar Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001.
“Të mos harrojmë që nga një luftë çlirimtare të UÇPMB-së nuk realizohet as minimumi i të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të parapara me standardet e ndërkombëtare e të mos flasim për nivelin e të drejtave që garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, apo së fundmi edhe marrëveshjet e Brukselit.
Serbia në njërën anë për 14 vjet me një politikë tejet perfide po spastron shqiptarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, përderisa në Kosovë kërkon edhe atë që nuk gëzon asnjë komunitet pakicë në botë. Politikat e tilla janë të papranueshme dhe do duhej të ishin edhe për faktorin shqiptar e ndërkombëtar”, tha Musliu.
Ish-përfaqësuesi i UÇPMB-së, ka ftuar për mbështetje nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës dhe njëkohësisht kërkon formimin e një fondi urgjent për Luginën e Preshevës që të realizojmë këtë formën e organizimit administrativo-territorial me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit dhe shërbimet sociale./Zeri/